Kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu dhe tim menaxheri dhe njëherit ish futbollisti i FC Shkupit, Ertan Demiri, sonte në emisionin “Prosports” në Alsat-M kanë shpërthyer me akuza ndaj numrit një të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Ilço Gjorgjioski, të cilin e akuzuan drejtëpërdrejtë për këto padrejtësi që po ndodhin ndaj skuadrave shqiptare, njofton “infOSport.
Shpëtimin e futbollit në Maqedoni, Ertan Demiri e sheh vetëm me largimin e numrit një aktual të FFM-së, Gjorgjioski.
“Kryetar më të lodhur nuk ka askund në rajon, i vetmi rast për të shpëtuar futbollin, është që të largohet Gjorgjioski, të punësohen më shuëm shqiptarë dhe të kenë ku të ankohen skuadrat shqiptare” – tha Ertan Demiri në emisionin “Prosport” në Alsat-M.
Kapiteni i Renovës, madje shkoi më larg, duke e quajtur atë edhe nacionalist.
“Kemi të bëjmë me një kryetar federate që është shumë nacionalist. Kam informacione shumë të sakta se ai madje edhe shqiptarët në FFM i thërret me emrin shiptari” – u shpreh Fisnik Nuhiu në Prosports në Alsat-M.
Nga tabori i Renovës shpesh herë janë ankuar këtë vit për parregullsitë që u janë bërë nga ana e arbitrëve, sidomos në ndeshjet ndaj Sileksit, ku gjatë emisionit të transmetuar në Alsat-M u përmend se si duket FFM me çdo kusht dëshiron që skuadra nga Kratova të luaj në Europë.