Plotë 19 ditë para finales së madhe të Ligës së Kampionëve Europian, UEFA ka caktuar arbitrin që do të ndajë drejtësinë në ndeshjen midis Real Madridit dhe Liverpullit, njofton “infOSport.mk”. Është Milorad Mazhiç, ai i cili do të drejtojë këtë super ndeshje, që me 26 maj do të luhet në Kiev në Ukrainë.
Arbitri 45-vjeçar gjatë këtij sezoni ka drejtuar 4 ndeshje në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe 2 në kuadër të Liga Europa.
Para një viti Mazhiç drejtoi ndeshjen finale të Kupës së Konfederatave midis Gjermanisë dhe Kilit. Ndihmës të tij në finalen e Kievit do të jenë bashkëkombasit e tij, Milovan Ristiç dhe Dalibor Xhurxheviç. Arbitër i katërt do të jetë Kleman Torpen.
Nga UEFA gjithashtu caktuan edhe arbitrin e ndeshjes finale të Liga Europa midis Atletiko Madridit dhe Olimpikut të Marsejës. Këtë ndeshje të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm europian do të drejtojë holandezi, Bjorn Kajpers.
Finalja e sivjeme e Liga Europa zhvillohet me 16 maj në Lion.