Lotët e Kosçielnit, dëshpërimi i mbrojtësit të Arsenalit për dëmtimin e rëndë që pësoi në tendinën e Akilit, të pësuar gjatë gjysmëfinales së Liga Europa kundër Atletiko Madridit mbrëmë, që do t’i kushtojë atij edhe Botërorin me Francën, e bëjnë atë thjesht të fundit e një serie protagonistësh që ose kanë mbetur jashtë, ose rrezikojnë pjesëmarrjen në “Rusi 2018”.
Lista e emrave të mëdhenj në dyshim të madh, edhe pse optimistë, është e gjatë.
Një nga rastet më të shumëdiskutuara është ai i brazilianit të Paris Sen Zhermenit, Nejmar. Transferimi 222 milionësh, i cili është përfshirë nga një polemikë në tjetrën me shtypin francez dhe me zërat e merkatos që e duan atë larg Parisit pas Botërorit, është ndalur prej muajit shkurt pas një dëmtimi të rëndë të pësuar kundër Marsejës. Një frakturë e rëndë e gishtit të pestë të këmbës së djathtë, e thjesht ndonjë dalje tek-tuk në televizion apo rrjete sociale me këmbën e fashuar, por edhe me një fije të hollë optimizmi tek ai vet dhe te “Seleçao”.
Rikuperimi i tij besohet të jetë i përshpejtuar dhe mund t’ia dalë mbanë për të qenë në Botëror. Testi i fundit për t’i dhënë “dritën jeshile” është më 17 maj.
I njëjti besim ekziston edhe për kapitenin e Kombëtares gjermane të futbollit, Manuel Nojer. Portieri i Bajern Munihut ka luajtur vetëm 4 ndeshje këtë sezon dhe nuk zbret më në fushë që prej mesit të shtatorit të kaluar. Edhe ky me një frakturë në këmbën e majtë, e treta herë brenda vitit, gjë që e ka stërzgjatur periudhën e rikuperimit. Ai nuk luan, por në fakt stërvitet prej kohësh dhe për këtë arsye nuk e ka humbur shpresën.
“Besoj se do të jem në Botëror”, si titullar apo jo, këtë ndoshta as vet ai nuk e di.
E për të mbetur te Gjermania, janë edhe dy futbollistë të tjerë të ndalur në infermieri, mbi të cilët ka dyshime të forta nëse do të jenë mes të grumbulluarve. Bëhet fjalë për Emre Xhan dhe Zherome Boateng. Mesfushori i Liverpullit ripërjetoi një dëmtim të vjetër në shpinë, duke mbetur jashtë ecurisë pozitive të skuadrës nga “Enfilld Roud” në Ligën e Kampionëve për pjesën e dytë të sezonit.
Por, ndalesa e gjatë rrezikon realisht mesfushorin me origjinë turke, sikurse edhe dëmtimi muskular i pësuar nga mbrojtësi i Bajern Munihut kundër Realit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve Europian. Ndalesa e këtij të fundit mund të jetë nga 4 deri në 6 javë sipas medieve gjermane.
Tek Argjentina, ndërkohë, në ankth janë për Biljan dhe Agueron. Mesfushori i Milanit doli nga fusha e lojës në ndeshjen me Beneventon, pas një përplasjeje, duke pësuar frakturë në dy vertebra. Parashikimi për rikuperimin e tij është rreth 30 ditë, gjë që veç rrezikut dhe specifikave të dëmtimit, mund ta detyrojnë atë të përjashtohet edhe nga lista e Sampaolit, i cili gjithsesi duhet të mendohet dy herë përpara se të privohet prej shërbimeve të tij. Mjeku i Kombëtares “Albiceleste” është më pak optimist sa i përket rastit të “Kun” Agueros, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në gjurin e majtë.
“Lojtari iu nënshtrua një artroskopie 60 ditë përpara Kupës së Botës, fakt që të bën të jesh i shqetësuar, pasi rikuperimi do të kërkojë të paktën 5 javë. Kur bëhet fjalë për dëmtime që ripërsëriten, procesi i rikuperimit nuk është aq i shpejtë sa do të dëshironim. Padyshim që nuk mund të flitet për 3 apo 4 javë, por për më shumë” – është shprehur mjeku i Kombëtares argjentinase.
Belgjika nga ana e saj po monitoron situatën e Miçi Batshuaj. Sulmuesi i Borusia Dortmundit është dëmtuar në kavilje në ndeshjen kundër Shalke 04, duke u fokusuar prej atëherë në sforcot për një rikuperim sa më të shpejtë të mundshëm. Ekzaktësisht si Filipe Luis, i cili po punon fuqishëm për t’u rikuperuar nga një frakturë për të riveshur sërish fanellën e Brazilit.
Por, nëse janë të shumtë ata që rrezikojnë mospjesëmarrjen e që po punojnë me ritme të përshpejtuara për ta realizuar ëndrrën “Rusi 2018”, ka edhe nga ata që do të duhet ta shohin Botërorin nga shtëpia.
Veç Kosçielnit të Francës, Rusia organizatore e Botërorit do të duhet të bëjë pa një prej yjeve të saj, Aleksandr Kokorin, i cili gjatë ndeshjes së 1/8-ave të Liga Europa me Lajpcigun i dha fund sezonit disa muaj para kohe. Një problem me ligamentet e gjurit të djathtë dhe operimi që pasoi në Romë, bëjnë që sulmuesi i Zenitit t’i thotë lamtumirë Botërorit shtëpiak.
I njëjti diskutim edhe për Okslejd-Çamberlejnin e Liverpullit, i cili gjatë ndeshjes së parë me Romën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, pësoi një dëmtim të ligamentit të gjurit të djathtë.
Për të duhen 9 muaj pushim, pa finalen e Ligës së Kampionëve me Liverpullin, që me 26 maj do të përballet me Realin e Madridit në Kiev, e mbi të gjitha pa “Rusi 2018” me Anglinë, pas një sezoni të shkëlqyer. (Top Channel)