Shkëndija nuk duhet frikësuar për të ardhmen, tre gjenerata të grupmoshave kualifikohen në finale të Kupës

Se Shkëndija dita ditës po shndërrohet në një skuadër me renome dhe të fuqishme, po dëshmojnë edhe rezultatet e kësaj skuadre që po i arrinë me grupmoshat e reja, njofton “infOSport.mk”. Përveç përkushtimit maksimal të ekipit të parë, drejtuesit e skuadrës tetovare vëmendje të posaçme po ju kushtojnë edhe grupmoshave të reja, ku trajnerët e të gjitha moshave me në krye koordinatorin Festim Ademi po bëjnë një punë të shkëlqyeshme.

Më së miri për këtë flasin edhe të arriturat e tyre, ku nga gjithsej 4 grupmosha, tre prej tyre kanë siguruar një vend për në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija U19 e udhëhequr nga trajneri Bekim Osmani me meritë kaloi në finalen e madhe, pasi në gjysmëfinale me fitore identike 2:1 në të dyja ndeshjet eliminoi Borecin. Gjatë ditës së djeshme “kuqezinjtë” e rinj në Tetovë falë golave të shënuar nga Xhenis Ibraimi (44’) dhe Gazmend Loki (84’) shënuan fitore 2:1 ndaj  Borecit, për të cilën skuadër golin e vetëm e realizoi Rristovski në çastet e fundit të takimit.

Në finalen e madhe Shkëndija U19 do të përballet me Rabotniçkin, që në ndeshjen tjetër gjysmëfinale eliminoi Pobedën nga Prilepi. Rikujtojmë Shkëndija U19 është edhe pranë mbrojtjes së titullit kampion në Super Ligën e të rinjëve, ashtu që kjo gjeneratë ka mundësinë që të përsëris suksesin e ekipit të parë, për tu kurorëzuar me titullin e dyfishtë.

Finale edhe për Shkëndijën U18 që në ndeshjen gjysmëfinale eliminoi FC Shkupin. Ekipi i udhëhequr nga Berat Imeri në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Tetovë shënuan fitore me rezultatin 5:3, ashtu që me rezultatin e përgjithshëm 7:4, falë fitores 1:2 në Shkup, kaluan në finalen e madhe.

Në një ndeshje mjaft interesant, djemtë e trajnerit Berat Imeri diferencën e bënë në pjesën e dytë. Ediz Spahiu me dy realizime (3’ dhe 32’) solli epërsi 2:0, ndërsa përgjigjen miqtë me Ramadanin (36’) dhe Berishën (54’) për barazim 2:2. Spahiu në minutën e 64-t kompleton hat-trikun e tij në këtë ndeshje duke sjellë epërsi 3:2, por miqtë gjejnë forcë për të barazuar edhe një herë në minutën e 64-t me anë të Likës. Ky rezultat ishte aktiv vetëm 3 minuta, pasi në të 67-ën Almir Rexhepi shënon për 4:3, ndërsa rezultatin përfundimtar 5:3 e fiksoi i njejti futbollist në minutën e 80-të. Shkëndija U18 në finale të Kupës do të përballet me Pelisterin.

Hapin e dy gjeneratave paraprake nuk arritën të mbajnë edhe gjenerata U17 e Shkëndijës, që në gjysmëfinale u eliminua nga Akademia Pandevi. Pas humbjes 1:2 në Tetovë, djemtë e Burhan Emrullait barazuan 1:1 në Strumicë.

Abdulvahit Ajdini në minutën e 23-të shënoi për epërsi të Shkëndijës, mirëpo vendasit barazuan në minutën e 55-të me anë të Stojkovit. Kuqezinjtë dhanë gjithçka për të prekur kualifikimin, mirëpo u penguan edhe nga referimi skandaloz që anuloi një gol dhe nuk dha një penalti për Shkëndijën.

Mirëpo për dallim nga gjenerata U17, ajo U16 e Shkëndijës me stil u kualifikua për në finalen e madhe, pasi edhe në ndeshjen e kthimit në Tetovë mundi Pelisterin. Pas fitores 0:2 në Manastir, “kuqezinjtë” dje në Tetovë shënuan fitore minimale 1:0, ku golin e vetëm e realizoi Amar Emurli në minutën e 76-të.

Në finalen e madhe Shkëndija U16 do të përballet me Rabotniçkin.

Leave a Reply