FC Shkupi sot do të zhvillojë një nga ndeshjet më të rëndësishme të stinorit pranveror, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga Çairi para tifozëve të vetë do të mirëpret Sileksin, një skuadër tjetër pretendente për dalje në Europë. Skuadra nga Kratova për momentin është në një pozitë shumë më të volitshme, pasi aktualisht ka 8 pikë më shumë se FC Shkupi dhe ndodhet në pozitën e 3-të në renditje, megjithatë një fitore e të përzgjedhurve të trajnerit Zekirja Ramadani në këtë ndeshje do të mund të ndryshonte shumë gjëra, pasi skuadra nga Çairi ka edhe një ndeshje më pak.
Megjithatë për këtë takim trajneri i “bardhekaltërve” nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e fantazistit, Kristijan Stojkoski, i cili sot do të pauzojë për shkak 5 kartonëve të verdhë. Përveç tij paraqitjet e tyre ndaj Sileksit rrezikojnë edhe dy futbollistë tjerë standard, si Bazhe Ilijoski dhe Rron Broja, të cilët stërvitjen e fundit të skuadrës së tyre e braktisën para kohe.
Ndeshja FC Shkupi – Sileksi starton në ora 16:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga treshja e arbitrave shkupjan me në krye Aleksandar Stavrev, të cilit do ti ndihmojnë edhe Marjan Kirovski dhe Dejan Kostadinov.