Edhe pse është i mbytur nga polemikat dhe kritikat për gjykimin jo fort të mirë në ndeshjen “derbi të Italisë” midis Interit dhe Juventusit, gjyqtari Daniele Orsato ka një arsye për të buzëqeshur. Komisioni i gjykimit të FIFA-s, që drejtohet nga ish-gjyqtari i njohur italian Pierluigi Collina, ka zyrtarizuar sot listën e 13 gjyqtarëve asistentë të VAR, që do të ndjekin ndeshjet përmes monitorit në Botërorin Rusi 2018. Mes 13 të përzgjedhurve është edhe Orsato, së bashku me dy gjyqtarë të tjerë italianë, Massimiliano Irrati dhe Paolo Valeri.
Përmes një komunikimi, FIFA shpjegon zgjedhjen, e cila është bërë në bazë të përvojës që kanë këta gjyqtarë në përvetësimin e sistemit VAR në kampionatet përkatëse dhe se kanë marrë pjesë në të gjitha seminaret e organizuara nga FIFA. Sistemi VAR do të përdoret edhe në Kupën e Botës për herë të parë në një event të tillë madhor dhe çdo ndeshje do të ketë 3 gjyqtarë që do ta ndjekin atë përmes monotorëve të sistemit VAR. Këta 13 gjyqtarë do të përdoren vetëm për sistemin VAR dhe nuk do të gjykojnë jo në fushë.