Nesër mbrëma Hames Rodrigez do të rikthehet në “Santiago Bernabeu”, por kësaj rradhe për të luajtur kundër Realit të Madridit, skuadër kjo që ka në pronësi kartonin e kolumbianit, që po luan sezonin e tij të parë te Bajerni si i huazuar. Ai thotë se Madridi ka qenë shtëpia e tij e dytë dhe se rikthimi në kryeqendrën spanjolle është një përzierje e ndjenjave të bukura.
“Është mirë të kthehesh në “Santiago Bernabeu” pas vetëm një viti. Ka qenë shtëpia ime dhe është gjithnjë një gjë e mirë të kthehesh, është një përzierje e ndjenjave të bukura” – u shpreh fillimisht Rodrigez.
Lidhur me ndeshjen e nesërme, kolumbiani thotë se nuk kërkon hakmarrje, por thjesht dëshiron që me Bajernin të prek finalen e madhe. Ai gjithashtu thotë se nëse do shënonte, nuk do të festonte.
“Nuk kërkoj hakmarrje, thjesht dua të kaloj në një finale të re të Ligës së Kampionëve. Unë nuk do të festoj nëse shënoj për faktin e thjeshtë se ata më kanë trajtuar shumë mirë. Kam pasur tre vite unike, ku fituam shumë tituj dhe praktikisht fituam gjithçka, është një çështje respekti pasi unë kam qenë i lumtur këtu” – tha Rodrigez.
Rikujtojmë “bavarezët” në ndeshjen e parë në “Alianc Arena” kishin pësuar nga Reali me rezultatin 1:2, ashtu që nesër mbrëma “Santiago Bernabeu” do të duhet të sulmojnë që nga minuta e parë, në rast se dëshirojnë të prekin finalen e madhe. Ndeshja Real Madrid – Bajern Munih starton në ora 20:45, ndërsa do të drejtohet nga arbitri i njohur turk, Xhunejt Çakër.