Forma e mirë e Mohamed Sallah me fanellën e Liverpullit, ka bërë që për yllin e skuadrës angleze të flasin shumë emra eminent të futbollit europian, të cilët parashohin një të ardhme shumë të ndritur për egjiptianin. Një ndër të fundit që ka shprehur mendimin e tij, është edhe trajneri legjendar i përfaqësuses së Zvicrës, si dhe dy gjigandëve gjerman, Borusia Dortmundit dhe Bajer Munihut, Otmar Hitcfeld.
Strategu zviceran thotë se Mohamed Sallah mund ta zëvendësojë Lionel Messin dhe Kristiano Ronaldon, si futbollisti më i mirë në botë, nëse vazhdon me formën e këtij sezoni.
Ylli egjiptian u shpall si futbollisti më i mirë në Premierligë, ku në 34 ndeshje arriti që të shënojë 31 gola, ndërsa 10 gola të tjerë kishte realizuar në 11 ndeshjet e tij me Liverpulln në Ligën e Kampionëve, ku skuadra nga “Enfilld Roud” është shumë afër kualifikimit për në finalen e madhe, pas asaj fitore bindëse 5:2 në ndeshjen e parë në Angli ndaj Romës.
Hitcfeld është i sigurt se Sallah është i destinuar të arrijë majën e futbollit, nëse e mban formën sportive të këtij sezoni.
“Ai ka dribling dhe shpejtësi të pabesueshme, i jashtëzakonshëm për lojën me kundërsulm. Liverpulli ka një lojtar të klasit botëror, si Salah. Ai mund të zëvendësojë Messin dhe Ronaldon, nëse i ruan dhe vazhdon arritjet e këtij sezoni në të ardhmen”.– tha gjermani për “T-Online”.