Fitojnë Futsal Shkupi dhe Velesi, vazhdojnë luftën për titullin e kampionit

Mbrëmë në elitën e futsalit vendor në program ishin dy super ndeshje në kuadër të javës së 24-të, njofton “infOSport.mk”.

Në palestrën “Forca” në Taftalixhe mejdanin ndanin kampioni në fuqi Futsal Shkupi dhe ish kampioni Zhelezareci, teksa në palestrën “Enver Idrizi” në Seravë, Juventus Serava mirëpriti liderin aktual, Velesin.

Edhe përkundër dëshirës së madhe të “bardhezinjëve” për të nxjerrë një rezultat pozitiv nga kjo përballje, në fund ishte ekipi mysafir i Velesit që triumfoi me rezultatin 2:5, teksa Futsal Shkupi tregoi forcën e vërtetë edhe në transfertën kundër Zhelezarecit, duke shënuar fitore 2:6.

Ndryshe ndeshja nuk nisi mirë për “bardhekaltërit” nga Çairi, pasi që në minutën e parë vendasit e Zhelezarecit avansuan me golin e Nikolla Milenkovskit. Kundërpërgjigjja erdhi nga Bejtulla Jakupi i cili barazoi shifrat në minutën e 11-të, teksa në minutën e ardhshme Nikolla Dimovski shënoi edhe golin e dytë për Futsal Shkupin. Nuk vonoi shumë dhe tre minuta më pas Erkan Seferi shënoi golin e tretë për ekipin nga Çairi, që njëherit ishte edhe i fundit gjatë pjesës së parë.

Pjesën e dytë Futsal Shkupi e nisi më mirë dhe me golat e Ismet Cekës (29’)dhe Ivan Sotirovskit (37’) ngriti epërsinë në 1:5, transmeton “infOSport.mk”.

Nikolla Milenkovski sërish shënoi në rrjetën e Futsal Shkupit në minutën e 38-të për të ngushtuar epërsinë në 2:5, mirëpo vetëm një minutë më pas, Sotirovski shënoi edhe golin  e dytë  personal, duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Zhelezareci 2, Futsal Shkupi 6.

Me këtë fitore Futsal Shkupi numëron 57 pikë, një më pak se Velesi në vendin e parë, me të cilën skuadër si duket xhiron e fundit (java 27) në parket mysafir do të vendosin se kush do të shpallet kampion i ri i Maqedonisë në futsal.

Leave a Reply