Lidhja Komunale e futbollit në Tetovë të mërkurën përmbylli me sukses edicionin e parë të Ligës Institucionale në futboll të vogël. Tetë skuadra zhvilluan gara sipas sistemit të kampionateve shtetërore, duke u përballur secila me secilën nga dy herë, ndërsa kampioni u vendos në xhiron e fundit (xhiroja e 14-të) kur Policia e Tetovës mundi Gjygjin Themelor të Tetovës me rezultat 1:0 në duelin direkt që vendoste për vendin e parë. Kështu në fund Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë doli kampion në Ligën Institucionale të Tetovës në futboll të vogël, duke fituar edicionin e parë dhe testues të këtij formati.
Lidhja Komunale e futbollit të Tetovës të premten e ardhshme (4 maj) do të organizojë manifestimin qendror për përmbylljen e edicion të parë të Ligës Institucionale në të cilin përveç ekipit kampion do të jepen edhe mirënjohje për pjesëmarësit, ndërsa do të vlerësohen golashënuesi, futbollisti, portieri dhe referët më të mirë.
“Ne si LFK Tetovë jemi shumë të kënaqur me institucionet dhe dëshirën e tyre për të marrë pjesë në këtë Ligë. Sigurisht që kjo ishte pilot projekt dhe na detyroi të mendojmë seriozisht që të jetë gjysmëprofesionale dhe nga viti i ardhshëm do të kemi kërkesa që edhe Komunat për rreth Pollogut të marrin pjesë në këtë ligë. Mendoj se me këtë pilot projekt arritëm të bëjmë senzibilizim dhe të regjistrojmë lojtarët. Është një fakt se me këtë Ligë ne si LFK-Tetovë kemi arritur që Tetovës dhe rrethit të Pollogut t’i organizojmë një manisfestim ku të gjithë administratat dhe institucuionet do të kenë hapsirë rekreative gjatë gjithë sezonit 2017-2018. Shpresojmë që në sezonin e ardhshëm do të jetë risi edhe më profesionale”, ka thënë kryetari i LFK-së Tetovë, Fisnik Hiseini.
“Ne si ndërmarje katër vite me rradhë kishim turne në futboll të vogël në kuadër të 28 Nëntorit. Normal së bashku me kryetarin e LFK Tetovë dhe me shumë shkokë dhe miq që merren me futboll arritëm që atë turne ta shndërojmë në Ligë Institucionale”, shprehet drejtori i NPK-së Tetovë, Xhelal Ceka.
Ekipet pjesëmarrëse në edicionin e parë të Ligës Institucionale:
SPB – Tetovë,
UEJL,
Gjyqi Themelor i Tetovës,
Shkolla e Mesme profesionale medicinale “Nikolla Shtejn”,
Gjimnazi “7 Marsi”,
Posta e Tetovës,
Ndërmarja Publike Komunale – Tetovë,
Komuna e Tetovës.