Arsenali bleu një kampion bote për të siguruar prapavijën, nga e cila ka vuajtur shumë në sezonet e fundit, por edhe pse me një investim të rëndësishëm te Shkodran Mustafi, nuk e gjeti dot qetësinë para portës. Tashmë ka shumë ekspertë që mendojnë se futbollisti shqiptar nga Gostivari nuk po justifikon dot milionat e shpenzuara për të.
Por, mbrojtësi, që zgjodhi Gjermaninë për të përfaqësuar në arenën ndërkombëtare, këmbëngul se nuk do të largohet nga Arsenali, edhe pas zhvillimeve të fundit. Shkodran Mustafi akuzohet se ka faj në pësimin e shumë golave që kanë përkeqësuar renditjen, si gabimet ndaj Southampton dhe Neëcastle.
“Nuk i jap shumë rëndësi asaj çfarë thonë, pasi jam kritiku më i madh i vetes. Ndonjëherë njerëzit preferojnë të theksojnë vetëm anën negative, por unë mbetem i fokusuar te loja që më pëlqen dhe tek Arsenali”, tha mbrojtësi nga Gostivari.
Me 45 milionë euro mbi supe, Shkodran Mustafi është mbrojtësi më i shtrenjtë që ka blerë Arsenali në histori, por dy vite pasi Venger vendosi ta merrte nga Valencia, duket se kanë perënduar siguritë që lojtari nga Gostivari ofronte në muajt e parë.