Beshiktashi ka shënuar fitore 3:1 në ndeshjen ndaj Malatyaspor, e vlefshme për javën e 30-të në Superligën turke, njofton “infOSport.mk”. Me këtë fitore kampionët në fuqi të Turqisë mbajnë hapin me liderët aktual të Galatasarajit që gjatë ditës së djeshme mundën Alanyasporin në transfertë me rezultatin 2:3.
Ndryshe fitoren Beshiktashi e arriti në 10 minutëshin e fundit të takimit, kur edhe shënuan dy golat vendimtarë.
Ndryshe ishte Negredo, ai i cili shënoi golin e parë në këtë takim në minutën e 13-të, teksa mysafirët e Malatyaspor barazuan shifrat 20 minuta më pas me anë të Pereiras. Ishte Taliska, ai i cili në minutën e 81-të bëri që “Vodafone Arena” të shpërthejë në festë sërish, teksa me një super gol të shënuar nga guajtja e lirë në minutën e 88-të, Rikardo Kuaresma vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Beshiktashi 3, Malatyaspor 1.
Skuadra e Shenoll Gunesh me këtë fitore tashmë numëron 62 pikë, po aq sa ka edhe Bashakshehiri në pozitën e tretë, që të premten në ndeshjen e parë të xhiros së 30-të mundi Kajserisporin (3:1), teksa në pozitën e parë ndodhet Galatasaraji me 63 pikë.
Kjo javë mbyllet të hënën me ndeshjen Fenerbahçe – Antalyaspor.