Mbrojtësi me origjinë nga Gostivari, Shkodran Mustafi, si dhe mesfushori kosovar, Granit Xhaka nuk është e sigurt nëse do të jenë pjesë e Arsenalit edhe në edicionin e ardhshëm.
Të dy futbollistët shqiptarë, siç raportojnë mediat në Angli të mërkurën, nuk kanë arsyetuar pritshmëritë dhe gjasat janë të mëdha që gjatë verës të përfshihen në listën e lojtarëve që do të jenë në shitje.
Gostivarasi, Mustafi i kushtoi Arsenalit 41 milionë euro, kurse Xhaka 45 milionë. Por pas këtij edicioni të vlerësuar jo të mirë për dy futbollistët shqiptarë, vlera e tyre në treg ka rënë. “Arsenali këtë verë do ta rishikojë ekipin dhe vetëm dy vjet pas transferimit të tyre, Mustafi dhe Xhaka nuk janë në plane për të ardhmen”, shkruan “standard.co.uk”.
Si Mustafi ashtu edhe Xhaka me Arsenalin kanë kontratë deri me 30 qershor të vitit 2021. Mustafi ka shënuar tre gola dhe ka asistuar një herë në 24 paraqitje në PremierLigë këtë sezon, teksa Xhaka në 33 paraqitje ka shënuar një gol dhe ka asistuar NË pesë të tjerë.