Stadiumi i ri që do të presë ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit po materializon projektin e bukur në një prej veprave më madhore sportive në vendin tonë.
FSHF ka publikuar pamjet e fundit të “Arenës Kombëtare”, ku tri tribuna janë thuajse të përfunduara dhe tashmë po punohet për tribunën kryesore.
Tribuna karshi është pothuajse drejt përfundimit, sa i takon konstruksionit të betonit dhe atij metalik, me punimet kanë arritur deri në katin e fundit të stadiumit, ku ka mbetur vetëm një pjesë për tu plotësuar.
Në tribunën jugore mbrapa portave është për t’u plotësuar vetëm një sektor ku do të jetë kulla e kontrollit, e cila do të ketë lartësinë e impiantit. Punimet kanë ecur me ritme të larta edhe në tribunën veriore mbrapa portave, ku skelat janë ngritur thuajse deri në fund.
Impianti me kapacitet 22 mijë vendësh pritet të përfundojë plotësisht gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.