Favoritët Bellasica dhe Bregallnica shumë të sigurtë në Lindje

Dy skuadrat favorite për dy vendet e para në Ligën e Dytë – Lindje, Bellasica dhe Bregallnica ishin superiore në ndeshjet e sotme të javës së 21-të, duke ju shkaktuar disfata të rënda kundërshtarëve të tyre.

Bellasica para tifozëve të vetë në një ndeshje që konsiderohej si derbi, demoloi Osogovën me rezultatin e thellë 5:0, teksa Bregallnica në Shtip me rezultatin 7:2 mundi Pobedën nga Valandova.

Sulmuesi Lazar Iliev realizoi dy gola në këtë ndeshje për Bregallnicën, teksa nga një gol realizuan Bonevski, Mitrov, Naumov, Velkovski dhe Efremov. Në anën tjetër të saktë për mysafirët nga Valandova ishin Mario Rajatoski dhe Aleksandar Tenekexhiev.

Sa u përket autorëve të golave në ndeshjen në Strumicë, për Bellasicën shënuan Kostovski, Mirçevski, Vasilev dhe Mitevski, i cili ishte autorë i dy golave. Me këtë fitore Bellasica kryeson renditjen me 46 pikë, 6 më shumë se Bregallnica e vendit të dytë, teksa Boreci që këtë javë ishte i lirë me 38 pikë renditet në pozitën e tretë.

Pas tyre me nga 30 pikë renditen Kozhuvi dhe Tikveshi që sot barazuan 1:1 në ndeshjen e zhvilluar në Gjevgjeli, ndërsa me barazim 2:2 u mbyll edhe ndeshja midis Plaçkovicës dhe Sasa-s nga Makedonska Kamenica.

LDFM – Lindje, JAVA XXI

Bellasica 5 – 0 Osogovo
Bregallnica 7 – 2 Pobeda V.
Kozhuvi 1 – 1 Tikveshi
Plaçkovica 2 – 2 Sasa
Boreci i lirë  

Leave a Reply