Vëllazërim i Kërçovës ka regjistruar fitoren më të thellë në ndeshjet e javës së 21-të në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Xhengis Rexhepi sot para tifozëve të tyre mundën fenerxhiun Novacin me rezultatin 5:0, duke vazhduar në këtë mënyrë ëndërrën e tyre për një vend në Ligën e Parë.
Sulmuesi gostivaras, Maliq Beluli hapi serinë e golave në minutën e 15-të, për të dalë më pas në skenë Agron Zeqiri me dy gola të shpejtë (25’, 27’), që njëherit dhanë edhe rezultatin e pjesës së parë, Vëllazërimi 3, Novaci 0.
Edhe pjesa e dytë vazhdoi me dominim të plotë të skuadrës vendase, e cila arriti që të shënojë edhe dy gola të tjerë. Fillimisht Murat Adili me golin e shënuar në minutën e 59-të ngriti epërsinë e Vëllazërimit në 4:0, teksa golin e fundit në këtë takim për fitoren e 12-të sezonale të skuadrës kërçovare e realizoi Mërgim Dani në minutën e 72-të.
Falë kësaj fitore Vëllazërimi me 40 pikë tashmë renditet në pozitën e dytë dhe ka vetëm një pikë më pak se skuadra kryesuese e Makedonija Gjorçe Petrovit, që si vendas me rezultatin 3:1 mundi Zajazin.