Përballja e të dielës do të jetë hera e 31 që ndeshen Shkëndija dhe Pelisteri. Falë ngritjes së Shkëndijës viteve të fundit dhe serisë së gjatë pozitive në duelet me ekipin nga Manastiri, kuqezinjtë kanë kthyer në favor të tyre bilansin e rezultateve.
Në 30-të takime të zhvilluara, 15-të herë ka triumfuar Shkëndija, katër ndeshje janë mbyllur me rezultat të barabartë, ndërsa 11-të fitore ka Pelisteri. Kuqezinjtë për herë të fundit janë mundur nga ky rival në shtator të vitit 2013 dhe prej atëherë deri tani në 11-të duele Shkëndija ka regjistruar 9-të fitore dhe 2 barazime.
Këtu nuk llogarisim barazimin 0:0 pas 180 minutave lojë në finalen e Kupës vitin e kaluar kur skuadra nga Manastiri fitoi me penalti. Këtë sezon efektin 100% për djemtë e trajnerit Qatip Osmani që kanë fituar bindshëm dy përballjet paraparke, 1:3 në Manastir dhe 3:0 në Tetovë.
Pas sfidës së nesërme Shkëndija dhe Pelisteri në këtë sezon do të ndeshen edhe dy herë tjera, një herë në kampionat më 20 maj në xhiron e fundit të kësaj kampanje, si dhe në finalen e Kupës.