Përfundimisht, Komisioni Disiplinor i UEFA-s nuk do të hapë procedura kundër Serhio Ramos, për shkak se kapiteni i “mbretërve” u pa në tunelin e stadiumit dhe afër stolit të të tijve gjatë ndeshjes çerekfinale së kthimit të Ligës së Kampionëve, kundër Juventusit, edhe pse ishte i pezulluar me kartonë.
Sipas raporteve të “Iusport” dhe “Cope”, qeveria europiane e futbollit e kupton se sjellja ishte e saktë dhe kapiteni i Real Madridit nuk do të sanksionohet.
Kështu, Ramos do të luajë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bajernit të Munihut.
Ishte Emilio Butragueño, drejtor i marrëdhënieve institucionale të Real Madridit, ai i cili e konfirmoi vendimin pas shortit të hedhur sot në Nion të Zvicrës.
Në klubin e bardhë pritej të mos kishte dënim, sepse në Kodin Disiplinor të UEFA-s dhe rregulloret e Ligës së Kampionëve nuk ka detaje specifike nëse një lojtari të pezulluar i ndalohet të hyjë në tunel dhe dhomat e xhveshjes, ose jo.
UEFA, pas marrjes së raportit të të deleguarit në ndeshje, gjermanit Rainer Koch, ka vendosur të mos fillojë procedurën disiplinore ndaj kapitenit të Real Madridit.