Stefano Takoni është një nga legjendat e Juventusit, për rreth një dekadë, ai ka mbrojtur katërkëndorin e bardhezinjve, duke fituar me ta tituj në Itali, por edhe trofe ndërkombëtarë në vitet ’80, kur Juventusi ishte një superfuqi në futbollin europian.
Sipas tij, ajo që ndodhi mbrëmë në ndeshjen ndaj realit, është një turp i vërtetë dhe sipas tij, Bufon do të kishte bërë mirë t’i thyente turinjtë gjyqtarit.
“Duke e ditur se do ta mbyllja me futbollin, unë do t’ia kisha thyer turinjtë. Do të kishte qenë finalja e madhe e një karrierë të shkëlqyer. Nuk mund të japësh një penalti të tillë në minutën e 95-të. Psikologjikisht të gjithë janë në tension dhe nuk mund ta japësh kështu”, tha ai për RMC.
Sipas Takonit, problemi i vërtetë është Pierluixhi Kolina, i cili përzgjedh gjyqtarët dhe precedentin e Peruxhias me Juventusin.
“Kolina është dashakeqës, ishte një gjyqtar i korruptueshëm” – siç bëri ndaj Juventusit në Peruxhia. Ai ka vepruar pa mirëbesim dhe duhet ndryshuar përzgjedhësi i gjyqtarëve çdo 2-3 vite. Kur fitoi Roma, të gjitha skuadrat italiane shkuan ta komplimentonin. Por kur u mund Juve, të gjitha i dalin kundër dhe për këtë më vjen keq”, tha ish-portieri, i cili paralajmëron rivalët e bardhezinjve.
“Napoli do të kishte preferuar që Juventusi të ecte më tej. Tani do të jenë më të përqendruar dhe askush nuk do të mund t’i rivalizojë. Inati do t’i bashkojë të gjithë dhe do të kërkojnë fitoren e titullit dhe Kupës”, tha Takoni. (vipsport.al)