Liga Europa sontebëhet gati për të përcaktuar katër ekipet që do të sigurojnë një vend për në ndeshjet gjysmëfinale dhe kurioz është fakti që favorite mbeten pikërisht gjithë skuadrat që kanë fituar ndeshjet e vajtjes brenda fushës së tyre.
Ky është edicioni i nëntë në historinë e këtij kompeticioni dhe për herë të parë që nga sezoni 2009-10, kur edhe ka startuar ky aktivitet, ndeshjet e para u fituan nga gjithë skuadrat vendase.
Natyrisht për shkak të eksperiencës Atletiko e Madridit konsiderohet skuadra favorite për të fituar këtë edicion, për më tepër ekipi i Diego Simeones sonte në Portugali ndaj Sportingut të Lisbonës paraqitet me avantazhin 2:0.
Pas klubit madrilen, si favorite për të triumfuar në këtë kompeticion shihet edhe Arsenali, që njëkohësisht kishte siguruar fitoren më të thellë, përsa u përket ndeshjeve të para. Dy gola të Aron Ramzi dhe Aleksandre Lakazete i dhanë “topçinjëve” fitoren e thellë 4:1, ndaj CSKA-së Moskës, që do ta ketë shumë të vështirë për të përmbysur këtë epërsi të skuadrës së Arsen Venger, i cili
kërkon trofeun e parë kontinental, pas tri finaleve të humbura në Kupat e Evropës.
Lazio – Salzburg ishte takimi që prodhoi më tepër gola në ndeshjet e javës së kaluar dhe pas barazimit të përkohshëm 1-1 të pjesës së parë “bardhekaltrit” ia dolën mbanë për të fituar takimin në stadiumin “Olimpiko” me shifrat 4:2.
Problem për ekipin e Simone Inzaghit përbën derbi i famshëm i kryeqytetit roman, Lazio – Roma, që do të luhet të dielën në mbrëmje, ndërkaq në krahun tjetër klubi austriak, që pothuajse e ka siguruar titullin kampion, shpreson shumë në faktorin fushë.
Takimi më i fortë i mbrëmjes luhet në stadiumin “Velodrome”, ku Olimpik Marseja do të kërkojë të përmbysë disavantazhin 1:0 nga ndeshja e parë kundër Lajpcigut. Të gjitha ndeshjet startojnë në ora 21:05.