Shkëndija sot arriti të sigurojë një vend për në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë, pasi arriti që të eliminojë Renovën, njofton “infOSport.mk”. Është ky viti i tretë me rradhë që skuadra “kuq e zi” nga Tetova do të diskutojë për trofeun e Kupës së Maqedonisë dhe finalja e pestë në përgjithësi në historikun e tyre.
Për herë të parë Shkëndija në një finale të Kupës kishte luajtur gjatë sezonit 2005/2006 kur në stadiumin e qytetit të Shkupit kishin pësuar nga Makedonija Gjorçe Petrovi me rezultatin 3:2. Hera e dytë që ata luajtën në një finale ishte sezoni 2012/2013 kur përballë kishin rivalin lokal, Teteksin. Kjo ndeshje do të mbahet mend gjatë kohë, pasi e njëjta për shkak fyerejve në baza nacionale nga ana e tifozëve të të dyja skuadrave ishte ndërprerë dhe e njëjta ishte zhvilluar një ditë më vonë, por kësaj rradhe pa praninë e tyre.
Ndeshja në kohën e rregullt ishte mbyllur me barazimin 1:1, teksa ruleti i penaltive u kishte buzëqeshur futbollistëve të Teteksit, që kishin triumfuar në fund me rezultatin e përgjithshëm 7:6.
Megjithatë trofeu i parë për Shkëndijën nuk vonoi shumë, pasi “kuqezinjtë” nga Tetova në sezonin 2015/2016 me “Ecologun” në krye ngritën lartë Kupën, pasi në finalen e madhe në Shkup mundën Rabotniçkin me rezultatin 2:0 falë golave të shënuar nga Marjan Radeski (8’) dhe Stenio Zhunior (90+5’). Ishte ky trofeu i parë historik për Shkëndijën në kuadër të Kupës së Maqedonisë, ndërsa kur të gjithë prisnin që të njëjtin sukses ta përsërisin edhe vitin e kaluar në finalen e madhe ndaj Pelisterit në Strumicë, djelmoshat “kuq e zi” dështuan për të bërë një gjë të tillë. Ata për gjatë 90-të minutave edhe përkundër dominimit të plotë nuk arritën që të mposhtin portierin e Pelisterit, i cili u tregua vendimtarë edhe gjatë ekzekutimit të penaltive, pasi pikërisht këtu Shkëndija dështoi edhe për herë të dytë në historikun e saj, si ajo finale e sezonit 2012/2013 kundër Teteksit.
Pikërisht skuadra e Pelisterit do të jetë kundërshtari i tyre i këtij edicioni në finalen e madhe, një rast i mirë ky për Shkëndijën që ti hakmerret skuadrës nga Manastiri, e cila në gjysmëfinale përmes penaltive eliminoi Akademia Pandevin.
Finalja e madhe e Kupës së Maqedonisë e sezonit 2017/2018 në program është me datë 9 maj.
Ndeshjet finale të deritanishme të Shkëndijës në kuadër të Kupës së Maqedonisë | |||
Sezoni | Ekipi | Rezultati | Ekipi |
2005/2006 | Makedonija Gj.P. | 3 : 2 | Shkëndija |
2012/2013 | Teteksi | 1 :1 (6:5 penalti) | Shkëndija |
2015/2016 | Shkëndija | 2 : 0 | Rabotniçki |
2016/2017 | Pelisteri | 0 : 0 (4:3 penalti) | Shkëndija |
2017/2018 | Shkëndija | 09.05.2018 | Pelisteri |