Ndeshja ndërmjet Shkupit dhe Pelisterit e vlefshme për javën e 26-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë me shumë gjasa nuk do të zhvillohet. Edhe pse e njëjta ishte paraparë të zhvillohet sot me fillim nga ora 16:00, ashtu siç raportojnë mediat sportive në gjuhën maqedonase për shkak të helmimit të rreth 15 futbollistëve të Pelisterit, kjo ndeshje do të shtyhet.
Helmimi i futbollistëve të Pelisterit kishte ndodhur në një nga restoranet e qytetit të Velesit, aty ku skuadra ishte ndalur për të ngrënë hajen e mëngjesit para udhëtimit për në Shkup.
Për momentin të gjithë futbollistët ndodhen në spitalin e qytetit të Velesit, ku priten edhe raportet mjekësore.