FC Shkupi nesër do të përballet me Renovën në transfertë në kuadër të xhiros së 25-të në elitën e futbollit vendor. “Bardhekaltërit” kanë zhvilluar seancën e fundit sot, ndërsa me kthimin e reprezentuesve si Besart Krivanjeva, Omar Imeri, Suhejl Muharemi e Rron Broja FC Shkupi është kompletuar, ku do të mungojë vetëm Vujçiç që është në fazën e rikuperimit nga lëndimi.
“Ishte e mirëseardhur kjo periudhë kur ishin angazhimet e reprezentacioneve, që të përgatitemi në planin fizik, taktik dhe psikik, e që shpresojmë pas kësaj periudhe që kemi punuar do të kemi rezultate pozitive. Tradita është në anën tonë, presim që në fushë të mirë të tregojmë lojë të mirë dhe shpresojmë që më së paku të marrim një barazim, por gjithsesi dëshirojmë maksimumin, tri pikët. Fillimisht duam që ta fitojmë këtë ndeshej dhe të rrisim vetëbesimin në radhët tona dhe më pas presim që të luajmë në terrenin tonë në Çair, ku kundërshtarë e kemi Pelisterin. Këtu do ta kemi edhe publikun, që do të na ngrit dhe shpresojmë që atë ndeshje do ta fitojmë duke arkëtuar tri pikë”, ka thënë për faqen zyrtare të FC Shkupit, Alen Jasharoski.
Takimi Renova-Shkupi do të zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit në Tetovë, duke nisur nga ora 15:00.