Federata Shqiptare e Futbollit ka depozituar sot zyrtarisht në UEFA aplikimin e saj për organizimin e “UEFA SuperCup™ 2020” në stadiumin “Arena Kombëtare”, në Tiranë.
Grupi i punës për përfundimin e dosjes së plotë të dokumentacionit për kandidaturën përkatëse ka mbyllur të gjithë praktikën e aplikimit. Zyrtarisht, tashmë “Arena Kombëtare” është një nga impiantet kandidate për të marrë finalen e Superkupës së Europës për vitin 2020.
Ideja për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në kalendarin e futbollit europian vjen nga dëshira për promovimin e vlerave të mikpritjes shqiptare, si dhe nga ambicja për zhvillimin e emrit të mirë të kulturës sportive në vend, e nxitur kjo edhe nga përfundimi i shpejtë i “Arenës Kombëtare”, punimet e të cilit vijojnë me intensitet shumë të lartë. Organizimi në kryeqytetin shqiptar i Superkupës Europiane merr një rëndësi absolute, jo thjesht nga pikëpamja sportive, por mbi të gjitha, edhe për imazhin e Shqipërisë, dhe sidomos Tiranës.
Pas dorëzimit të dosjes zyrtare në UEFA, Federata Shqiptare e Futbollit falënderon të gjitha institucionet që bashkëpunuan me të për plotësimin e kritereve të kërkuara nga UEFA, përfshirë këtu: Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë e Tiranës, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Intelektuale, Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, “Tirana International Airport”, Agjencia Kombëtare e Turizmit, si dhe të gjithë partnerët e tjerë.