Vijnë lajme të mira për Juventusin, përpara përballjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kundër Real Madridit, të martën e ardhshme, në të cilën nuk do të marrin pjesë titullarët e pezulluar bardhezinj, Benatia dhe Pjaniç.
Siç bëjnë me dije mediat italiane, qendërmbrojtësi i kryesuesve të Seria A, Xhiorxhio Kiellini, do të rikthehet në vendin e caktuar ndaj “mbretërve”.
Të mërkurën, mbrojtësi bardhezi, që i humbi miqësoret e këtij muaji me Italinë për një lëndim në kofshën e djathtë, të pësuar gjatë ndeshjes kundër SPAL, ka punuar me grupin dhe do të jetë gati dhe në dispozicion të trajnerit Allegri për sfidën e afërme të Ligës së Kampionëve.
Kiellini megjithatë, duhet ta fillojë nga stoli ndeshjen e së shtunës në Seria A, kundër Milanit, ndërsa Allegri do të vëzhgojë me kujdes edhe Matuidin e Khediran, edhe pse gjermani tashmë është shëruar plotësisht nga lëndimi, që pësoi gjatë miqësores me Spanjën.
Aleks Sandro nuk do të luajë ndaj Milanit, kjo është e sigurt, ndërsa aktualisht mbetet në dyshim edhe për përplasjen me Realin e Madridit.