Klubi i Boksit Shkëndija kanë zgjëruar repartin e tyre edhe me një kategori tjetër, atë të femrave. Klubi tetovar ka përcaktuar tre termine në javë për stërvitje të femrave, ndërsa lajmin e kanë bërë të ditur në rrjetet sociale. Ushtrimet në kuadër të boksit do të zhvillohen në palestrën “Medicina e Vjetër’’.
Drejtuesit e klubit të boksit Shkëndija në njoftimin për risinë e re, kanë shkruar edhe disa këshilla rreth këtij sporti, të cilat mund t’i lexoni më poshtë:
Boksi, sporti që po tërheq së fundmi jo vetëm meshkujt, por edhe femrat!
Një ndryshim të rëndësishëm që mundet të sjellë boksi në jetën tuaj është dhe lënia e alkoolit, duhanit, për shkak se praktikimi i këtij sporti rrit vetëbesimin dhe sipas një studimi, mungesa e vetëbesimit lidhet drejtpërdrejt me konsumimin e alkoolit dhe duhanit!
– Përgatitja fizike e sportit të boksit, është e lartë duke marrë parasysh se i gjithë trupi ndryshon në një hark kohor prej 3-muajsh!
– Duke marrë parasysh problemet fizike si lodhja, stresi dhe virozat e ndryshimeve të stinës, ushtrimi i aktivitetit të boksit ndikon drejtpërdrejt në rritjen e energjisë trupore, e si pasojë e rritjes së energjisë, trupi është me pak i predispozuar të preket nga virozat apo stresi!
Specifikat e përgjithshme të boksit!
* Boksi është një sport burrëror, impenjativ dhe dinamik dhe mjaft argëtues i cili preferohet shumë edhe nga femrat. Boksi në pamje të parë të jep përshtypjen e një sporti të rrezikshëm, me përplasje fizike ku fiton më i forti, në të vërtetë është e kundërta!
* Boksi klasifikohet tek sportet që kërkojnë inteligjencë menaxhimi dhe rezistencën fizike për të boksuar në nivelet që kërkohet.
* Harxhon dhe djeg rreth 600 kalori, më shumë se sa mundemi të djegim duke vrapuar apo duke bërë ushtrime të ndryshme për kardio (kros, anaerobi, aerobi) në të njëjtën kohë paralelisht. Por e veçanta e këtij sporti është se gjatë gjithë kohës që ushtrojmë boks jemi të stimuluar, të motivuar për të vazhduar trajnimin, duke ndjerë kënaqësi në lodhje dhe duke mos u ndjerë të këputur aspak që jemi duke djegur sasi të mëdha kalorish.
* Boksi vë në lëvizje të gjitha pjesët e trupit gjatë trajnimit si; pulsin (zemrën), belin, këmbët, krahët, gjoksin, shpinën, si dhe ndihmon zhvillon vigjilencën, reflekset, shkathtësinë reaguese. Ajo që është më e rëndësishme, ka të bëjë me atë se bën shkarkimin e energjive negative, shkarkimin të stresit etj.