Shkupi me shumë gjasa ndeshjen e së dielës ndaj Pelisterit, e vlefshme për javën e 26-të në elitën e futbollit vendor do ta zhvillojë në Çair, njofton “infOSport.mk”.
Do të jetë kjo ndeshja e parë gjatë stinorit pranveror që klubi nga Çairi do ta zhvillojë në fushën e saj, duke pasur parasysh se deri më tani ndeshjet si vendas i zhvillonte në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari, ndërsa atë të fundit kundër Skopjes e zhvilloi në Gostivar.
Në 4 ndeshje si vendas Shkupi tuboi vetëm 4 pikë, që është shumë pak për një skuadër që pretendon Europën.
Megjithatë me rikthimin në Çair pritet që të vijnë edhe rezultatet pozitive për këtë skuadër, ku me siguri se tribunat e stadiumit do të jenë përplotë me tifoz.
Punëtorët përgjegjës për fushën e stadiumit në Çair kanë bërë një punë shumë të madhe, ndërsa më së miri për këtë flasin edhe fotot e siguruara nga “infOSport.mk”, të cilat dëshmojnë se fusha vërtetë është në gjendje shumë të mirë dhe se është e gatshme për ndeshje kampionale.
Megjithatë fjalën e fundit rreth lejes për tu zhvilluar ndeshje në këtë stadium do të ketë inspekcioni i posaçëm pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, që brenda kësaj jave pritet të vizitojnë stadiumin e Çairit.