Futsal Shkupi ishte superior sot në transfertën në Prilep ndaj Mal Ajaksit, duke mundur këta të fundit me rezultatin e thellë 0:8, njofton “infOSport.mk”.
Pjesa e parë kaloi në shenjë të goleadorit Erkan Seferi, i cili shënoi që të tre golat (1’, 11’, 14’) e 20 minutëshit të parë.
Rezultati 0:3 ishte valid deri në minutën e 29-të, atëherë kur në skenë doli Bejtulla Jakupi, ndërsa vetëm dy minuta më pas Ivan Sotirovski shënoi për 0:5.
Eroll Dalipi në minutën e 35-të shënoi për 0:6, ndërsa Erkan Seferi dy minuta më vonë shënoi edhe golin e katërt personal dhe të 7-tin për “bardhekaltërit” nga Çairi, teksa rezultatin përfundimtarë Mal Ajaksi 0, Futsal Shkupi 8 e vendosi i riu, Haris Fazlija në minutën e fundit të takimit, transmeton “infOSport.mk”.
Me këtë fitore Futsal Shkupi arriti në kuotën e 48 pikëve, duke lënë pas vetes Velesin me 46 pikë, skuadër kjo e cila ndeshjen e saj të javës së 20-të do ta zhvillojë nesër në transfertën në Gjevgjeli kundër Ciko-s.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar sot, Kratova në Tetovë mundi SEEU, teksa të enjten Juventus Serava shënoi fitore 4:3 ndaj Astibos.