Ylli portugez i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo akuzohet sërish për evazion fiskal. Akuzat e fundit për evazion fiskal që kapin vlerën e 14.7 milionë eurove, e kanë vendosur 5 herë fituesin e “Topit të Artë” në një situatë tepër të vështirë. Çështja vazhdon të jetë nën hetim dhe pavarësisht se në dëshminë e tij, Ronaldo është shprehur se nuk ka aspak lidhje me këtë histori, 31-vjeçari rrezikon 10 vite burg.
Tashmë portugezit i janë lënë në dispozicion dy mundësi nga ana e hetuesve. E para është të pranojë akuzën dhe të nisë pagimin e shumës së padeklaruar brenda një afati kohor të caktuar, ndërsa e dyta është t’i shkohet çështjes deri në fund dhe ylli portugez të marrë dënimin.
Avokatët e sulmuesit po punojnë intensivisht që situata të marrë një drejtim, nga i cili klienti i tyre të mos dëmtohet. Kohët e fundit një numër i madh futbollistësh janë vënë nën akuzë nga organet hetimore financiare për fshehje të të ardhurave dhe një pjesë e mirë e tyre kanë rënë dakord të paguajnë shumën që u kërkohet, ndërsa për disa të tjerë, siç është Ronaldo, hetimi vazhdon.