Kombëtarja U21 e Shqipërisë është mposhtur nga Sllovakia me rezultat 2:3 në ndeshjen e zhvilluar në “Selman Stermasi” në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian që do mbahet në vitin 2019-të në Itali.
Rey Manaj shënoi dy golat për Shqipërinë në minutën e 44-t dhe në të 52-tën, ku në këtë të fundit asistues ishte kumanovari, Taulant Seferi. Gjithsesi përmbysja e Sllovakisë erdhi në 10-të minutat e fundit, pasi deri në të 80-tën, rezultati ishte 2:1 në favor të “kuqezinjëve”.
Dimun dhe Mraz shënuan golat për Sllovakinë, ndërsa më herët kishte realizuar edhe Spalek. Ndeshja përfundoi 2:3 dhe tashmë Shpresat e Bushit komplikojnë tërësisht rrugën për arritjen e objektivit, që është vendi i dytë, pasi tani Shqipëria mbetet në vendin e 5-të të renditjes, me 6 pikë në po kaq takime.
Shqipëria U-21 do të luajë ndeshjen e ardhshme sërish ndaj sllovakëve, por këtë herë në Sllovaki, më datë 27 Mars.