Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet në Durrës, në prag të miqësores së 26 marsit me Norvegjinë, në “Elbasan Arena”.
Pavarësisht shirave dhe kohës së keqe të këtyre ditëve, trajneri Panuçi nuk e ka ulur ritmin, duke dashur t’i “karikojë” maksimalisht të tijtë në aspektin fizik. Në konferencë për shtyp, mesditën e sotme ka dalë Etrit Berisha dhe Mërgim Mavraj. Ky i fundit, mes të tjerash ka nënvizuar: “Për portën dha garanci Etriti, por në kombëtare e kemi dëshmuar shumë herë se edhe mbrojta kanë qenë shtyllë e ekipit. Me rivalë të fortë kemi dalë shumë mirë. Lojtarët e rinj besoj do të na ndihmojnë për të zhvilluar edhe në të vjetrit. Ekipi dhe mbrojta do të jetë në formë për ndeshjen e ardhshmen” – tha Mavraj.
“Pas largimit të Canës, kujt i ka rënë përgjegjësia e liderit? Këto janë gjëra, që për mediat luajnë rol. Ekipit të suksesshëm i duhen 11 liderë. Liderin nuk e ka bërë Loriku dhe askush tjetër por të gjithë bashkë. Duhet të marrë çdo lojtar përgjegjësitë përsipër. Jemi shumë mirë. Të afruarit do të kontribuojnë për të qenë të suksesshëm. Nuk është ky ekipi përfundimtar. Jemi në fillim të zhvillimit tonë. Kemi kohë për të formuar ekipin përfundimtar. Lënia jashtë e futbollistëve ndikon përgjithësisht për mirë” – u shpreh Mmavraj.
Në pyetjen se ku ndryshon De Biazi me Panuçin, Mavraj u përgjigj: “Mosha e tyre është ndryshimi. De Biazi ka qenë më i qetë. Panucci është më shumë entuziast. Ai me mish e me shpirt e përjeton situatën. Në futboll flet suksesi. Nëse nuk ke sukses, do të ballafaqohesh me kritikat. Tani luajmë me më shumë guxim, sepse kemi më shumë eksperiencë. De Biazi ka shumë kontribut në këtë pjesë. Futbollistët e rinj? Eshtë një shans shumë i madh për ta. Të gjithë kemi qenë në këtë situatë. Kanë pak emocione, por me siguri do të krijojnë besim dhe do të japin më të mirën. Skemat e Panuccit? Shqipëria i ka potencialet për të luajtur siç do trajneri i kombëtares. Normalisht, jemi në zhvillim. Nga një ditë në tjetrën mund t’i ndryshosh dhe planifikosh skemat. Është gjë normale, por duhet kohë. Ndonjëherë sistemi që ke zgjedhur nuk fuksionon. Kemi shumë lojtarë, që janë në dispozicion. Kemi konkurrencë të madhe, çka kontribuon për t’i mësuar këto skemat. Europiani i ardhshëm? Siç e ka treguar e kaluara, po u paraqitëm mirë, çdo kundështar do ta ketë të vështirë me Shqipërinë. Nëse japim maksimumin, mund të fitojmë ndaj cilit do kundërshtarë”.