Jo vetëm në teren futbollistike të Ballkanit mund të shihen pamje jo të hijshme në një ndeshje futbolli, ku fjalën kryesore e kanë tifozët.
Së fundmi skena të tilla kanë ndodhur në Itali, edhe atë në një ndeshje futbolli mes ekipeve të të rinjëve të Fiorentinës dhe Empolit, skuadra këto që po luanin në kuadër të turneut “Viarexho Kup”.
Ishte skuadra nga Firenca që në fund e fitoi takimin me rezultatin 3:2, mirëpo e gjithë kjo rezultoi të jetë në plan të dytë. Pas përfundimit të ndeshjes një grup prej rreth 40 tifozëve të Fiorentinës sulmuan futbollistët e ekipit mysafir, ku më së keqi e pësoi mbrojtësi i krahut të djathtë, Alesio Xhaneski.
Ky i fundit ishte goditur me një gurë të madh në fytyrë, ku si pasojë kishte pësuar një dëmtim të rëndë poshtë syrit të djathtë.
Vetëm disa orë pas kësaj ngjarje të shëmtuar, Komisioni Disciplinor pranë Federatës së Futbollit të Italisë kishte vendosur që të dënojë Fiorentinën me 3 000 euro. Gjatë zhvillimit të ndeshjes tifozët e ekipit “vjollcë” kishin gjuajtur me shishe prej qelqi në drejtim të bankinës rezervë të Empolit, mirëpo deri te ndonjë incident më i rëndë nuk kishte ardhur.