Shkëndija e Tetovës vazhdon dominimin e saj në futbollin e Maqedonisë, duke vijuar ngritjen e vazhdueshme nga viti në vit, të nisur prej kur kompania “Ekolog” ka marrë drejtimin e klubit, ndërsa me arritjet e fundit përfundimisht skuadra tetovare merr përmasat e një klubi evropian.
Kjo jo vetëm për mënyrën e funksionimit apo ecurisë kur në dy vitet e fundit skuadra preki “Plej of”-in e Liga Evropës, por edhe për faktin se në të gjitha drejtimet klubi tetovar merr shembuj nga më të mirët e Europës.
Së fundmi presidenti i Shkëndijës, Visar Bexheti krahas menaxhimit të skuadrës duket shumë aktiv me fytyra të ndryshme eminente të futbollit europian dhe Botëror. Këto ditë në Cyrih të Zvicrës, ka ndodhur një takim ndërmjet numrit një të Shkëndijës, Bexhetit dhe legjendës së futbollit brazilian, Roberto Karlos.
Pa marrë parasysh se për momentin nuk bëhet fjalë për ndonjë bashkëpunim eventual, ndërrimi i përvojave në aspekt të menaxhimit të një klubi të futbollit, është e rëndësisë së madhe dhe duket se nga skuadra tetovare punojnë shumë në këtë drejtim.
Ndryshe Roberto Karlos gjatë karrierës së tij si futbollist ka luajtur për ekipe të mëdha si Real Madridi, Interi, Fenerbahçe, ndërsa si trajner ka udhëhequr skuadrat e Anzhit, Sivasporit e Akhisar Belediyespor./InfOSport.mk