Xhani De Biasi është njëri prej emrave alternative për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Italisë. De Biasi ishte mes dy kandidatëve kryesorë për të qënë trajner i Italisë në Maj të vitit 2016, pra pak ditë përpara fillimit të Europianit, por federata italiane zgjodhi Venturën. Koha tregoi se ishte një vendim i gabuar.
Tashmë që të kaltrit dështuan duke mos u kualifikuar në Kupën e Botës, në krye insititucionit që drejton futbollin në Gadishullin Apenin nuk është më Tavecchio, por presidenti i përkohshëm, Roberto Fabriccini. Ky i fundit ia ka lënë në dorë zgjedhjen e trajnerit të ri zv.presdientit, Alessandro Costacurta.
Pikërisht ish-mbrojtësi i MIlanit, i ftuar në një studio televizive në Itali, ku ka qënë së bashku me De Biasin, e ka drejtuar gishtin nga ish-tekniku i kuqezinjve si një prej alternativave të mundshme për stolin e kombëtares 4 herë kampione e botës. Natyrisht De Biasi nuk është në majën e listës së dëshirave, pasi aty qëndrojnë emra më të njohur si Antonio Conte, Roberto Mancini e Carlo Ancelotti, teksa një hipotezë e realizueshme është edhe ajo e trajnerit aktual Giggi Di Biaggio, megjithatë e rëndësishme është që 61-vjeçari nga Samede është pjesë e kandidaturave. Thuhet që treni i ëndrrave nuk kalon dy herë, ndoshta De Biasi do ta përgënjështrojë këtë thënie.