Futbollisti i Sportingut të Lisbonës, Stefan Ristovski ishte ndër tre emrat e futbollistëve që së fundmi iu bashkua përfaqësueses së Maqedonisë në Belek të Turqisë. Ai mbrëmë iu bahskua skuadrës, ndërsa sot doli edhe në stërvitjen e parë, duke dhënë edhe intervistën e parë lidhur me dy takimet që e presin Maqedoninë me 23 mars kundër Finlandës dhe me 27 mars kundër Azerbajxhanit.
Ai thotë se në dy duelet kontrolluese Maqedonia do të mund të nxjerrë pasqyrë për atë që e pret pas disa muajve në ndeshjet e rëndësishme të Ligës së Kombeve.
“E kemi të qartë se nga ne pritet të jemi në formë të vërtetë për ndeshjet në Ligën e Kombeve, mirëpo në këto dy ndeshje kontrolluese do të mund të nxjerim pasqyrë për atë që na pret në të ardhmen. Mendoj se është e rëndësishme të forcojmë karakterin e ekipit përmes këtyre ndeshjeve dhe të vazhdojmë të punojmë. Atmosfera ndërmjet neve është e shkëlqyeshme, gjithmonë ndjehemi mirë kur kthehemi në përfaqësuese dhe këto 10-të ditë do t’i shfrytëzojmë për komunikim më të mirë dhe afrim edhe më të madh mes veti. Gjithsesi, shpresoj të jemi në nivel edhe në ndeshjet kundër Finlandës dhe Azerbejxhanit”, – është shprehur Stefan Ristovski.