KF Shkëndija vlerëson të pamatur dhe të ekzagjeruar vendimin e Komisionit Disciplinorë të FFM-së që dënon klubin me zhvillimin e gjashtë ndeshjeve si vendas pa praninë e publikut dhe gjobë në vlerë prej 1 200 eurove.
Sipas tyre FFM nuk po përdor standardet e njejta si me rastet e incidenteve të mëparshme të klubeve të ndryshme, apo më konkretisht në rastet kur KF Vardari ka qenë vendas ku pasur edhe sulm fizik ndaj kryesisë së skuadrës së Shkëndijës.
Më poshtë keni të plotë reagimin e KF Shkëndija lidhur me dënimin e shqiptuar nga ana e Komisionit Disciplinor pranë FFM-së:
“Të vetëdishëm për situatën e palakmueshme dhe arsyeshmërinë për procedurë disciplinore, KF Shkëndija shpreh indinjatën për masat e ekzagjeruara ndëshkuese që nuk janë në proporcion me ngjarjet e ndodhura në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës Shkëndija-Vardari (19.04.2017) në fjalë si dhe me masat që janë ndërmarë ndaj klubeve tjera në raste edhe më të rënda paraprakisht. Me respekt për anëtarët e Komisionit për Disciplinë pranë FFM-së, nuk mund të kuptojmë marrjen e të drejtës për të ndjekur ndeshjet e skuadrës së tyre një qyteti të tërë që jeton për klubin, për shkak të sjelljes së pakontrolluar të disa individëve.
Konsiderojmë se nuk janë përdorur standardet e njejta si me rastet e incidenteve të mëparshme të klubeve të ndryshme, apo më konkretisht në rastet kur KF Vardari ka qenë vendas ku pasur edhe sulm fizik ndaj kryesisë tonë.
Kundërshtojmë këtë vendim dhe të njejtin do ta ankimojmë përmes anës ligjore, duke shpresuar që Komisioni i FFM-së ta rishqyrtojë edhe një herë rastin dhe të ulë dënimin në proporcion me nivelin e incidentit. Në të njëjtën kohë shpresojmë që ky rast të jetë mësim për një numër të vogël të personave të pandërgjegjshëm, pasi nuk është e drejtë me veprimet e tyre tua marrin të drejtën gjithë dashamirëve për të ndjekur ndeshjet e klubit të zemrës. Urojmë që në të ardhmen mos përsëriten raste të këtilla dhe tifozët nga tribuna të reflektojnë maturi dhe mbështetje të klubit në bazë të rregullave për sjellje në ndeshje sportive” – thuhet mes tjerash në kumtesën e klubit tetovar.