Ish-futbollisti i Kombëtares spanjolle, Çabi Alonso rrezikon të shkojë në burg për evazion fiskal. Prokuroria spanjolle ka formalizuar akuzat ndaj ish-futbollistit të Real Sociedadit, Real Madridit, Liverpullit dhe Bajern Munihut, që sipas medieve iberike mund të përballet me një dënim prej 8 vitesh e gjysmë burgim, pasi ka fshehur shuma të konsiderueshme nga të ardhurat e tij.
Ish-protagonisti i mesfushës së “La Roja”-s do të detyrohet të shfajësojë veten nga 3 akuza të bëra nga organet fiskale për evazion, me milionat që pëfitoi nga të drejtat e imazhit mes viteve 2010-2012.
Sipas Prokurorisë, Alonso evitoi taksat duke ia kaluar të drejtat e menaxhimit një kompanie me bazë në ishullin e Madeiras, në Portugali, vendlindja e Kristiano Ronaldos, edhe ky i fundit i akuzuar për fshehje të të ardhurave.
Gjykata e Madridit ngriti çështjen në dëm të Alonsos, pasi sipas saj faktet e ofruara nga Prokuroria ishin mëse të mjaftueshme.
Jo pak futbollistë në vitet e fundit janë detyruar të negociojnë një pakt me organet fiskale për evazion, në mënyrë që të evitojnë burgun. Mes tyre janë Aleksis Sançez i Mançester Junajtedit, ish-mesfushori i Barcelonës, Maskerano, mbrojtësi i Realit, Marselo, si dhe dy gjigantët e La Ligës, Messi e Kristiano Ronaldo.