Pas shortit të hedhur të Ligës së Kampionëve Europian, në Nion të Zvicrës u hodh edhe shorti i ndeshjeve çerekfinaliste të Liga Europa, ku bie në sy super përballja midis dy ekipeve që përfaqësohen nga futbollistë shqiptarë, Lacios së Thomas Strakoshës dhe Salzburgut të Valon Berishës.
Skuadra gjermane e Lajpcigut do të përballet me Olimpikun e Marsejës, Arsenali një ndër skuadrat favorite të këtij kompeticioni do të luaj ndaj CSKA Moskës, që në 1/8 e finales eliminoi Lionin, teksa Atletiko Madridi do të luaj ndaj Sportingut të Lisbonës.
Ndeshjet e para çerekfinale të Liga Europa në program janë me datë 5 prill, teksa ato kthyese vetëm një javë më pas. Finalja e madhe e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm europian në program është me datë 16 maj në Lion të Francës.