Drejtuesit e FC Shkupit gjatë ditës së sotme u ndanë me trajnerin e tyre të deritanishëm, Ardian Nuhiun, i cili udhëhoqi “bardhekaltërit” në momentet më të vështira. Strategu shkupjan pjesë e skuadrës nga Çairi ishte nga viti 2016-të, ndërsa arsyeja kryesore për largimin e tij nga ana e drejtuesve të skuadrës ishin reuzltatet e arritura gjatë stinorit pranveror.
FC Shkupi në 5 ndeshje të zhvilluara kishte regjistruar 1 fitore, 3 barazime dhe 1 disfatë, mirëpo këto rezultatet nuk e kishin kënaqur numrin një të skuadrës nga Çairi, Shefshet Demirin, i cili kishte vendosur që postin e trajnerit t’ia besojë ndonjë strategu tjetër.
Burime të “infOSport.mk” bëjnë me dije se drejtimin e FC Shkupit do ta marrë Zekirja Ramadani, një emër i njohur ky për “bardhekaltërit” nga Çairi. Gjeneratat më të vjetra e njohin atë shumë mirë, pasi ishte pjesë e gjeneratës së artë të ish Slloga Jugomagnatit kur nuk njihnin kundërshtarë në futbollin vendor, ndërsa gjithashtu nga viti 2014-2016 kishte udhëhequr skuadrën e FC Shkupit me mjaft sukses, para se të transferohej në Superligën e Shqipërisë, kur morri drejtimin e Flamurtarit. Së fundmi Zekirja Ramadani ishte pjesë e Feronikelit, ndërsa rikujtojmë se në vitin 2017-të arriti suksesin e tij më të madh në karrierën si trajner, duke u shpallur kampion me Trepçën ’89 dhe duke luajtur në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve Europian.
FC Shkupi pas 23 xhirove me 29 pikë të tubuara renditet në pozitën e katërt, me gjasa reale për të siguruar një vend për në ndeshjet e Liga Europa, që njëherit është edhe synimi kryesor i drejtuesve të rinj, të cilët gjatë afatit kalimtarë të dimrit ishin shumë aktiv duke sjellë në rradhët e tyre emra shumë të njohur dhe cilësor për futbollin tonë vendor.