FC Shkupi ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Ardian Nuhiun. Vendimi është marrë nga kreu i FC Shkupit, Shefshet Demiri, ndërsa shkarkimi është komunikuar në faqen zyrtare të klubit “bardheblu”.
“Padyshim se planet klubit vazhdojnë të mbeten të njëjta, ne edhe më tutje vazhdojmë të qëndrojmë në vendimin tonë se do të bëjmë investimet e duhura, duke punuar shumë më tepër me akademinë e klubit, por edhe duke planifikuar që edhe në sezonin e ardhshëm në klub të sjellim përforcime dhe më të mëdha. Edhe përkundër faktit se ne kemi sjellë përforcime mjaft cilësore, nuk kemi marrë atë edhe që e kishim planifikuar para fillimit të sezonit, andaj mendoj se është rruga më e mirë që të ndërpresim bashkëpunimin me trajnerin e deritanishëm Nuhiu. Padyshim se kontributi i tij në këtë klub është i pakontestueshëm, për çka e falënderojmë tej mase për gjithë mundin e dhënë”, ka thënë pronari i klubit Shefshet Demiri.
Nga FC Shkupi kanë njoftuar se janë në bisedime me disa trajnerë, ndërsa për këtë periudhë të shkurtë ekipin do ta drejtojë Orhan Abdi.