Shkëndija dhe Shkupi dy skuadrat më efikase në stinorin pranveror

Pas 5 xhirove të para në stinorin pranveror Shkëndija dhe Shkupi dallohen në bazë të efikasitetit në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.

Dy skuadrat shqiptare kanë shënuar më shumë gola se gjithë skuadrat tjera, me Shkëndijën që gjithashtu ka edhe mbrojtjen më të mirë në këtë gjysëmsezon të saponisur.

Shkëndija dhe Shkupi kanë shënuar nga 10 gola në 5 javët e para, apo nga dy gola në secilën ndeshje, edhe pse të dyja skuadrat mund të shënonin edhe ndonjë gol shtesë, në rast se realizonin edhe penaltitë e akorduara në favorin e tyre. FC Shkupi ka humbur tre penalti me tre emra të ndryshëm, si Bazhe Ilijoski, Ermedin Adem dhe Muharem Bajrami, teksa Shkëndija kishte humbur dy penalti me anë të dyshes së saj më të mirë, Ferhan Hasani – Besart Ibraimi, transmeton “infOSport.mk”.

Futbollisti më efikas te FC Shkupi është Bazhe Ilijoski me 4 gola të shënuar, teksa te Shkëndija me 3 gola të shënuar dallohet Besart Ibraimi.

Leave a Reply