Asnjë nga anëtarët e klubit futbollistik të Vardarit nuk do të japin deklarata deri në mbyllje të sezonit aktual. Një gjë të tillë kanë vendosur drejtuesit e “kuqezinjëve” nga Shkupi, të cilët kohëve të fundit po marrin disa vendime shumë të çuditshme. Pas vendimit për të luajtur me ekipin e të rinjëve në ndeshjen kampionale kundër Sileksit dhe atë të Kupës kundër Shkëndijës, është ky një vendim tjetër që ndoshta ka habitur edhe vetë futbollistët e kësaj skuadre si dhe tifozët e tyre.
Në të dyja këto ndeshje Vardari pësoi disfata, duke u përshëndetur njëkohësisht me të dy titujt, pasi fillimisht u eliminua nga Kupa, ndërsa pas barazimit të djeshëm ndaj Skopjes, mund të themi se kampionët në fuqi janë përshëndetur edhe me titullin e kampionit.
Në kuadër të javës së 23-të Vardari barazoi pa gola ndaj Skopjes, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes trajneri Çedomir Janevski dhe futbollistët nuk dhanë deklarata për mediat, me arsyetimin se nuk ju lejohet një gjë e tillë.
Nga ana e drejtuesve të klubit kampion theksuan se është sjellë vendim i ri, sipas të cilit futbollistët dhe stafi teknik nuk do të jenë të kapshëm për deklarata në media deri në fund të sezonit.
Përgjigjet e pyetjeve të tyre gazetarët do të mund ti marrin drejtëpërdrejtë nga drejtuesit e skuadrës “kuq e zi”, ndërsa informacionet shtesë do të publikohen në veb faqen e klubit.
Vardari pas 23 xhirove ka tubuar 43 pikë, 16 më pak se skuadra kryesuese e Shkëndijës, që ndodhet në rrugë të mirë për të rikthyer titullin në Tetovë pas plotë 7 viteve.