Renova shpien Bregallnicën drejt Ligës së Dytë (VIDEO)

Renova ka shënuar fitoren më të thellë në kuadër të javës së 28-të në elitën e futbollit vendor, pasi sot në Tetovë mundën ekipin e Bregallnicës me rezultatin 4:0, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo një super ndeshje, në të cilën “gjipspunuesit” në asnjë moment nuk e vunë në diskutim fitoren, ndërsa të njëjtën e paralajmëroi mbrojtësi Nenad Mishkovski me golin e realizuar në minutën e 16-të.

Ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa në pjesën e dytë Renova shtoi edhe 3 gola të tjerë.

Ishte sulmuesi Stojanço Velinov që ndëshkoi ish skuadrën e tij me golin e realizuar në minutën e 65-të, derisa dy golat e fundit ishin pjesë e ish sulmuesit të talentuar të Shkëndijës, Valmir Nafiu.

Për futbollistin tetovar ishin këto golat e parë të realizuar me fanellën e Renovës që pas rikthimit të tij në futbollin vendor, pas aventurës së këndshme që pati nëpër disa skuadra evropiane.

Nafiu golin e tij të parë e realizoi në minutën e 83-të nga pika e bardhë, ndërsa golin e dytë personal me të cilin edhe e mbylli këtë takim në favor të Renovës me rezultatin 4:0 e realizoi në minutën e 90-të.

Falë kësaj fitore Renova tashmë pozicionohet në vendin e 5-të, duke tejkaluar Sileksin në tabelën e klasifikimit, me ç’rast ringjallë sërish shpresat për një vend në garat evropiane, shkruan “infOSport.mk”.

Skuadra nga Xhepçishti pas 28 xhirove ka tubuar 38 pikë, dy më pak se skuadra e katërt në tabelën e klasifikimit Pelisteri, skuadër me të cilën deri në fund do të luftojë për atë pozitë të katërt, mirëpo kuptohet gjithnjë duke aluduar që në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë do të jetë Shkëndija ajo që do i gëzohet trofeut të madh në përballjen ndaj skuadrës nga Manastiri.

Leave a Reply