Skopje ka surprizuar Sileksin në ndeshjen e mbetur të javës së 19-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, duke i shkaktuar disfatë të papritur në Kratovë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga lagjja e Hekuranës shënoi fitore minimale 0:1 falë golit të shënuar nga Kofi Doseh në minutën e 23-të, kur përfitoi nga një top i devijuar i portierit vendas pas goditjes nga distanca të Benjamin Demir.
Ishte kjo fitorja e dytë për Skopjen këtë edicion pas asaj gjatë gjysmësezonit të parë ndaj Pelisterit, me ç’rast tashmë me 16 pikë ka vetëm 5 pikë më pak se skuadra nga Manastiri që ndodhet në pozitën e 8-të dhe ajo e Pobedës në pozitën e 9-të.
Në anën tjetër Sileksi edhe përkundër kësaj disfate, mbetet në pozitën e tretë me 35 pikë të tubuara.