Shkupi nuk ka arritur që të befasojë Vardarin në deri ndeshjen e javës së 28-të në elitën e futbollit vendor, duke pësuar disfatë 0:2 para tifozëve të vetë në stadiumin e Çairit, njofton “infOSport.mk”.
Në një atmosferë të bukur që kishin krijuar tifozët vendas “Shvercerat”, Vardari ishte dukshëm skuadër më e mirë në fushën e blertë, me ç’rast në fund me plotë meritë edhe njëherë tjetër nga Çairi u largua me tre pikët e plota.
Fitoren e “kuqezinjëve” nga Shkupi e paralajmëroi Xhonatan Baloteli me golin e realizuar në minutën e 21-të, pas një kombinimi të dyfishtë që pati me Boban Nikolov.
Ishte ky rezultati i pjesës së parë, edhe pse Vardari shumë lehtë mund të ndodhte që në pushim të shkojë edhe me epërsinë e dy golave, në rast se goditjen e Barsegian me kokë Fisnik Zuka nuk e largonte nga vija fatale.
Në pjesën e dytë fotografi e njëjtë në fushën e blertë, me një Vardar të sigurtë dhe dëshirën e madhe të futbollistëve vendas për të bërë diç më tepër, mirëpo që në fund mbeti e parealizuar.
Vardari në minutën e 53-të shënoi edhe golin e dytë, kësaj rradhe me autor Barsegian, i cili mjaft bukur shfrytëzoi harkimin e brazilianit Felipe nga rivënia e këndit dhe me kokë kësaj rradhe i’a arriti qëllimit që të shënojë në rrjetën e Suat Zendelit.
Pas kësaj fitore Vardari edhe më shumë e riti epërsinë ndaj ndjekësit më të afërt Shkëndijës, skuadër kjo që barazoi 1:1 në transfertën në Kratovë ndaj Sileksit.
Vardari tashmë ka 68 pikë, 14 më shumë se Shkëndija që pas 28 xhirove ka tubuar 54 pikë.