Armando Sadiku ka debutuar me disfatë në një ndeshje zyrtare me Levanten, skuadër kjo e cila vazhdoi të zhgënjej tifozët e saj, duke humbur sonte në ndeshjen e fundit të javës së 25-të në La Liga përballë Betisit, 0:2.
Sulmuesi kuqezi tregoi një grintë shumë të lartë, që u shpjegua edhe me një karton të verdhë të marrë, ndërsa arriti të kërcënojë rrezikshëm portën e miqve në minutën e 21-të, por portieri mysafir Adan i mohoi gëzimin e golit.
Gjithsesi, Levante u pa shumë e paqartë në fushë, ndërsa në pjesën e dytë pësoi dy gola, duke pësuar në fund edhe disfatën e 11-të sezonale, që e afron shumë afër zonës së ftohtë të renditjes.
Nga ana tjetër, Sadiku u largua nga fusha e lojës në minutën e 65-të, për t’i bërë vend sulmuesit italian, Pacini, ndërkohë Enis Bardhi nuk ishte as në bankinë sonte.
Në anën tjetër futbollisti shqiptarë me origjinë nga Tetova, Riza Durmishi, që mbron ngjyrat e Kombëtares së Danimarkës, edhe pse ishte në mesin e rezervistëve te Betisi, nuk morri dot besimin e trajnerit Setien.
Me këtë fitore Betisi numëron 36 pikë dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 7-të.