Përballja e xhiros 21 Shkëndija-Akademia Pandev e fituar nga tetovarët me rezultat 1:0 ka edhe një pjesë të saj të tretë, pasi ekipi nga Strumica ka dalur me kuminikatë, duke kërkuar pikët e këtij takimi në tavolinë, që gjen si arsye rastin e përjashtimit nga loja të Fazllagiqit dhe mbetjes së vendasve pa futbollist nën moshën 21 vjeçare në ekip.
Trajneri Qatip Osmani kishte përfshirë Fazllagiqin në formacion startues, mirëpo i riu u përjashtua me karton të kuq, ndërsa pas disa minutave Shkëndija largoi nga loja Adilin dhe inkuadroi Shefit Shefitin, duke respektuar rregulloren e FFM-së për të nisur dhe mbyllur pjesën e parë me lojtarë nën 21 vjeç.
Neni 20-të paragrafi 3 në rregulloren e FFM-së, thotë: “Të gjithë klubet pjesëmarrëse në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, në pjesën e parë të ndeshjes e kanë të patjetërsueshme të nisin dhe ta mbyllin me një lojtar të vendit që është nën moshën 21 vjeçare”.
Sipas kësaj, Shkëndija ka respektuar rregulloren dhe duket se ankesa e Akademia Pandevit është e pabazë, pasi në të njejtën nuk ka ndonjë sqarim çka ndodh nëse lojtari i ri ndëshkohet me të kuq dhe nëse duhet obligativisht të zëvendësohet me tjetër që gjithsesi ekipi tetovar e bëri dhe e ruajti në maksimum rregulloren. (SHENJA)