Është ky vetëm viti i dytë që po garojnë në elitën e futsalit vendor, ndërsa luftojnë për titullin e kampionit. Janë këto lojtarët e ekipit të futsalit, Shkupi, që këtë vit nuk njohin disfatë. Kur kanë mbetur vetëm edhe katër xhiro deri në mbyllje të sezonit të rregullt, “bardhekaltërit” nga Çairi, në konton e tyre numërojnë plotë 19 fitore dhe vetëm një barazim, njofton “infOSport.mk”. Ata të enjten në Makedonska Kamenicë edhe për të tretën herë këtë edicion mundën ekipin e Sasa, kësaj rradhe me rezultatin 4:7 (2:3).
Autorë të golave ishin 7 futbollistë të ndryshëm, ndërsa i pari që shënoi në këtë përballje ishte kapiteni Arsim Fazlija. Nga një gol tjetër në pjesën e parë realizuan edhe Erkan Seferi dhe Rexhep Sulejmani, ndërsa gjatë pjesës së dytë që në tërësi foli për skuadrën shkupjane shënuan Ylber Alili, Erdol Dalip, Orhan Ibishi dhe Eljesa Neziri.
Falë kësaj fitore Shkupi me 58 pikë mban pozitën e parë, duke lënë pas vetes Velesin me 52 pikë, me të cilën skuadër në ndeshjen e fundit të sezonit në palestrën “Enver Idrizi” do të diskutojë rreth titullit kampion, duke pasur parasysh se skuadra nga Velesi për momentin ka edhe një ndeshje më pak, pasi këtë javë ishte e lirë, shkruan “infOSport.mk”.
Paraprakisht Shkupi në teren vendas javën që vjen do të mirëpret Cikon, që më pas të ketë dy transferta përballë Hedisit dhe SEE Universitetit. Janë këto katër ndeshjet finale të skuadrës nga Çairi, që ka rastin më të mirë që vetëm pas tre viteve themelim, të shpallet kampion i Maqedonisë në futsal.
Në ndeshjet tjera të kësaj jave Ilirët mundën Juventus Seravën me rezultatin 7:5 dhe për një çast u larguan nga pozita e fundit e tabelës së klasifikimit, ndërsa Ciko dhe Zhelezareci barazuan me rezultatin 6:6. Java e 20-të mbyllet të shtunën me ndeshjen Hedis – SEE Universiteti.