Shkëndija nesër në Tetovë pret Akademia Pandevin në kuadër të xhiros së 21 në elitën e futbollit vendor. “Kuqezinjët” tetovar po zhvillojnë një sezon të shkëlqyeshëm, ndërsa regjistrojnë vetëm dy disfata, e cila një prej tyre është nga Akademia Pandevi në Strumicë.
Shkëndija kërkon që nesër të marrë tri pikët ndaj skuadrës nga Strumica dhe të vazhdojë rrugëtimin drejt titullit të kampionit.
“Si për çdo ekip kemi respekt edhe për Akademia Pandevin. Atmosfera në ekip është shumë pozitive dhe shumë e mirë. Ne si ekip jemi të gatshëm të japim më të mirën nga vetja dhe besojë që në fund t’ia dalim t’i marrim tri pikë”, ka thënë mbrojtësi i Shkëndijës, Mevlan Adili.
Akademia Pandevi që zhvillon sezonin e parë në elitën e futbollit vendor, nuk e ka nisur mirë gjysmësezonin pranveror, duke u mposhtur fillimisht nga Shkupi me rezultat 5:2, ndërsa në ndeshjen e fundit barazoi me Skopjen pa gola.
Ndeshja Shkëndija-Akademia Pandevi luhet nesër në stadiumin e qytetit në Tetovë, nga ora 14:00.