Pas Berat Jakupit, “infOSport.mk” mëson se drejtuesit e Kombëtares shqiptare të futsalit pritet ti bëjnë ftesë edhe lojtarit të Juventus Seravës, Eljesa Neziri, për të veshur fanellën “kuq e zi”.
21-vjeçari pritet që ditëve në vijim edhe zyrtarisht të pranojë ftesën nga ana e trajnerit Erind Resuli, i cili e ka pëlqyer Nezirin, që nga koha kur ky i fundit mbronte ngjyrat e Futsal Shkupit. Ai me “bardhekaltërit” nga Çairi sezonin e kaluar arriti që të shpallet kampion në elitën e futsalit vendor, ndërsa pas përfundimit të stinorit vjeshtor, ai vendosi që të ndryshojë mjedis dhe të rikthehet te skuadra e Juventus Seravës, për të cilën skuadër në 6 ndeshje të zhvilluara ka shënuar 11 gola.
ELJESA NEZIRI “MANITA” NË FITOREN E JUVENTUS SERAVËS NDAJ KRATOVËS
Ai realizoi 9 gola në 5 ndeshje kampionale, teksa dy gola të tjerë realizoi në kuadër të ndeshjes së 1/8 së finales së Kupës kundër Ilirëve të Kumanovës, transmeton “infOSport.mk”.
Rikujtojmë Neziri vitin e kaluar veshi fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, në dy ndeshjet miqësore që kjo skuadër i zhvilloi kundër Bosnje e Hercegovinës.
Në rast se Neziri do të bëhet pjesë e Kombëtares shqiptare, ai do të ketë mundësinë që me fanellën “kuqezi” të luajë pikërisht kundër Maqedonisë në kuadër të turneut “Adem Jashari”, që me datë 3 dhe 4 mars do të zhvillohet në Prishtinë.